Tërhiqen 33 libra shkollorë, Sulejmani paralajmëron modernizim
Ministria e Arsimit paralajmëron tërheqjen e 33 librave shkollorë për të rritur cilësinë dhe për të modernizuar programet mësimore.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Tridhjetë e tre libra shkollorë do të hiqen nga përdorimi me qëllim të rritjes së cilësisë së teksteve dhe modernizimit të programeve mësimore. Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka bërë të ditur se vendimi përfshin librat e klasës së parë, të dytë, të katërt dhe të pestë në gjuhën maqedonase, shqipe, turke dhe serbe.
Sulejmani ka shtuar se më parë janë tërhequr edhe librat e klasës së pestë dhe të shtatë të arsimit fillor, si dhe dy libra të viteve të para të shkollimit të mesëm, ndërsa nxënësit tashmë janë pajisur me botimet e reja. Sipas tij, afati i përdorimit të librave shkollorë është pesë vite, periudhë pas së cilës shtypen libra të rinj për shkak të vjetërsimit. Për të gjitha këto tekste është shpallur konkursi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kurse nxënësit pritet t'i kenë në dispozicion gjatë vitit shkollor 2027-2028.
Gjatë vitit të ardhshëm do të hapen procedurat për rinovimin e teksteve shkollore për klasën e tretë dhe të gjashtë të arsimit fillor, si dhe për vitin e katërt të gjimnazit. Këto hapa, sipas zëvendësministrit, do të përmbyllin plotësisht reformën në arsimin fillor dhe të mesëm gjimnazial për materialet e reja mësimore.