Policia gjobit studentët te Kryeministria dhe përplaset me gazetaren
Studentët marshojnë nga universitetet para Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa policia ndërhyn me masa administrative dhe përplaset me median.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Policia e Shtetit ka ndëshkuar me masa administrative protestuesit gjatë tubimit të mbajtur më 4 nëntor para Kryeministrisë. Pak minuta pasi studentët e zhvendosën protestën në bulevard dhe policia u bëri thirrje për lirimin e rrugës, efektivët kanë ndërmarrë masa ndaj të rinjve që protestonin në mënyrë paqësore duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë ngjarjes, agresioni policor është shtrirë edhe ndaj mediave, ku një punonjës policie është përplasur me gazetaren Fjona Çela.
Protesta e studentëve kishte nisur prej orësh pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, duke vijuar drejt Fakultetit Ekonomik, Ministrisë së Arsimit dhe më pas para godinës së qeverisë. Gjatë marshimit, ku u bashkuan edhe studentë të Mjekësisë dhe Shkencave të Natyrës, të rinjtë mbajtën pankarta, kënduan himnin kombëtar dhe kërkuan bojkotimin e procesit mësimor si dhe dorëheqjen e kryeministrit. Studentët kanë refuzuar ofertat e përsëritura të kryeministrit për dialog, përfshirë ftesën e bërë në mëngjes, duke këmbëngulur se largimi i tij mbetet kërkesa e tyre kryesore.