BIRN: Votimi kundër SPAK-ut për Ballukun shkakton shqetësime në Bruksel
Progres-raporti i Komisionit Europian vlerëson ecurinë e Shqipërisë, por kritikon parlamentin dhe dështimin e barazisë para ligjit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Komisionerja për Zgjerimin në Komisionin Europian, Marta Kos, prezantoi progres-raportin për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Raporti vlerëson pozitivisht ecurinë e negociatave dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit, ku Prokuroria e Posaçme vlerësohet për pavarësinë dhe rezultatet pozitive në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, ndërkohë që shteti i së drejtës dhe institucionet e pavarura mbeten sfida për vendin.
Sipas BIRN dhe gjetjeve të raportit, Parlamenti ka marrë vlerësime kritike për shkak të mbikëqyrjes së dobët të ekzekutivit dhe mungesës së dialogut politik. Votimi i Kuvendit kundër kërkesës së SPAK-ut për masë sigurie ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku përmendet si një ndër shkaqet kryesore të këtij vlerësimi. Raporti thekson se «pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti», duke ngritur shqetësime për mekanizmat e kontrollit dhe parimin e barazisë para ligjit.
Gjithashtu, raporti evidenton problematika në politizimin e emërimeve, moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, refuzimin e komisioneve hetimore të opozitës dhe reformën territoriale pa konsensus. Komisioni rekomandon ndërkohë një reformë gjithëpërfshirëse elektorale para zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm dhe u bën thirrje palëve për përpjekje të sinqerta në dialog konstruktiv.