Përplasje për ekonominë: Mickoski sheh përmirësim, Filipçe thotë se vendi mbetet në fund
Kryeministri flet për rritje të qarkullimit industrial, ndërsa kreu i LSDM-së thotë se vendi mbetet në fund të Evropës sipas FMN-së.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se prodhimi industrial shënon tendenca pozitive dhe se qarkullimi në industri është rritur për më shumë se 5,5 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Sipas tij, treguesit pozitivë janë të rëndësishëm duke pasur parasysh gjendjen ekonomike në botë dhe në Bashkimin Evropian, i cili është partneri më i madh tregtar i vendit, ndërsa shtoi se pas dy vjet e gjysmë është arritur në pikën zero nga një deficit i thellë.
Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka reaguar duke theksuar se Maqedonia e Veriut rënditet në vendin e 41-të mes 48 ekonomive evropiane për Bruto Prodhimin Vendor për kokë banori, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Filipçe tha se parashikimet e FMN-së tregojnë se BPV-ja për kokë banori do të arrijë në 11.762 dollarë, ndërsa para vendit tonë në rajon rënditen Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria.