Mickoski: Nga minus i thellë erdhëm deri në pikën zero
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se vendi ka arritur në pikën zero pas një periudhe në minus të thellë, duke paralajmëruar rritje dhe zhvillim më intensiv.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se prodhimi industrial po shënon rezultate pozitive, duke përmendur se qarkullimi në industri është mbi 5,5 për qind më i lartë në krahasim me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Gjatë një inspektimi të punimeve ndërtimore për përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë në vendbanimin rural Kamenik, në Komunën e Kisella Vodës, ai theksoi se kjo tregon rritje si në tregun vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar, gjë që sipas tij ishte konfirmuar më herët edhe nga rritja e eksportit.
Mickoski u shpreh se zhvillimet në Bashkimin Evropian, si partneri më i madh tregtar, dhe situata në botë janë faktorë të rëndësishëm, ndërsa shtoi se këto zhvillim pozitiv përbëjnë lajme të këqija për opozitën që sipas tij dëshiron që vendi të shënojë rezultate negative. «Të gjithë treguesit tregojnë atë që e thamë që në fillim, se na duhet durim, se duhet t’i konsolidojmë gjërat ngadalë dhe më në fund, pas pothuajse dy vitesh e gjysmë, kemi arritur në pikën zero, ndërsa ishim në minus të thellë», u shpreh ai, duke shtuar se nga ky moment e tutje pret vetëm rritje dhe zhvillim më intensiv, pavarësisht se kjo varet edhe nga gjendja globale.