Paga minimale: 18.50 euro më shumë për punëtorin pa tatim
Paga minimale në Kosovë është rritur në 500 euro bruto, por punëtorët marrin në bankë 456.50 euro neto për shkak të kontributit pensional dhe tatimit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Paga minimale në Kosovë ka arritur në 500 euro bruto, ndërsa në llogaritë bankare të punëtorëve derdhen 456.50 euro. Nga paga bruto zbriten 25 euro për kontributin pensional prej 5 për qind dhe 18.50 euro për tatimin në të ardhura. Sipas të dhënave të ATK-së, mbi 161 mijë punëtorë figurojnë me paga nën 500 euro bruto.
Qeveria e Kosovës ka dhënë premtimin se do ta lirojë pagën minimale nga tatimi, masë kjo që do t'u sillte punëtorëve 18.50 euro më shumë në muaj. Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur se kur do të nisë zbatimi i saj, sa punëtorë do të përfitojnë dhe çfarë kostoje do të ketë për buxhetin e shtetit. Edhe nëse realizohet ky premtim, punëtorët do të vazhdojnë të paguajnë kontributin e detyrueshëm pensional.
Një 19-vjeçar nga Skenderaj, që punon në një market, tregon se dallimi ndërmjet pagës bruto dhe asaj neto përkthehet në para që do ta ndihmonin familjen e tij të përballonte shpenzimet e përditshme, ndërsa rritja e çmimeve të ushqimeve ia vështirëson mbulimin e nevojave.