ATK mbledh mbi 900 milionë euro të hyra tatimore gjatë këtij viti
Agjencia Tatimore e Kosovës ka shënuar rritje të të hyrave tatimore dhe rënie të numrit të ndëshkimeve.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Agjencia Tatimore e Kosovës ka arkëtuar gjithsej 908.8 milionë euro të hyra tatimore gjatë periudhës nga janari deri në shtator. Kjo shumë përfaqëson një shtesë prej 114.5 milionë eurosh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, me një rritje prej 14.5 për qind.
Përveç rritjes së të hyrave, institucioni ka bërë të ditur se është ulur edhe numri i ndëshkimeve për 22 për qind. Këta tregues, sipas njoftimit, pasqyrojnë një qasje të orientuar drejt përmbushjes më të madhe tatimore, parandalimit të parregullsive dhe administrimit më efikas të obligimeve tatimore.
Rezultatet mbështeten nga puna e vazhdueshme në disa drejtime: monitorimi i bizneseve, me fokus te tatimpaguesit me rrezik të lartë tatimor; informimi dhe edukimi i tatimpaguesve për përmbushjen e drejtë të obligimeve; parandalimi i shkeljeve, me synim rritjen e përmbushjes vullnetare, si dhe digjitalizimi i shërbimeve tatimore për qasje më të lehtë dhe procedura më efikase.