Pse numri i studentëve në Universitetin e Prishtinës ra për 32 për qind?
Çfarë mund të ketë shkaktuar rënien e numrit të studentëve në Universitetin e Prishtinës?
PRISHTINË — Numri i studentëve të regjistruar në Universitetin e Prishtinës ka rënë për 32.4 për qind në vitin akademik 2025/2026 krahasuar me dhjetë vite më parë, ose 3.280 studentë më pak. Në vitin akademik 2016/2017 ishin 10 mijë e 119 studentë, ndërsa në vitin akademik 2025/2026 ky numër ra në 6 mijë e 839.
Rënie e numrit të studentëve vërehet edhe në Fakultetin e Edukimit. Në programin Edukim Fillor, aplikimet ranë nga 1.622 në 239. Në drejtimin Pedagogji e Përgjithshme, para dhjetë vjetësh kishin aplikuar 344 persona, ndërsa në vitin 2025 aplikuan vetëm 31. Dekani Blerim Saqipi tha se interesi ka rënë ndjeshëm: në vitin 2020 për çdo vend në Edukim Fillor kishte 4.7 aplikantë, ndërsa në vitin 2025 raporti ra në 2.6. Ai kërkoi masa konkrete nga Ministria e Arsimit, përfshirë përkrahjen në punësim dhe aspektin financiar, duke paralajmëruar se mund të kemi mungesë të kuadrove për shkollat.
Edhe dekani i Fakultetit të Arteve, Hazir Haziri, konfirmoi trendin e rënies, por tha se shumica e programeve ende i plotësojnë kuotat. Si arsye për rënien, ai dhe Saqipi përmendin faktorët demografikë, uljen e natalitetit, mundësitë për studim dhe punësim jashtë vendit, si dhe pagat e ulëta.
Nga Ministria e Arsimit thanë se kanë krijuar politika për forcimin e lidhjes mes arsimit të lartë dhe tregut të punës. Ata përmendën akreditimin e programeve të reja, bursat për studentë (përfshirë bursat STEM, elitare, master, PhD dhe postdoktoraturë) dhe Nivelin V të studimeve që përshpejton hyrjen në treg. Sipas ministrisë, janë zhvilluar programe ndërdisiplinore, janë forcuar qendrat për karrierë dhe janë mbështetur projekte për rritjen e punësueshmërisë.
Aktualisht, numri aktiv i studentëve në Universitetin e Prishtinës është 22 mijë e 377.
Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.