Ndalohet hyrja e mbi 1 mijë kg patatinave në Kosovë për shkak të akrilamidit
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bllokuar hyrjen e një ngarkese patatinash pas kontrolleve laboratorike.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar hyrjen në Republikën e Kosovës të një sasie prej 1,068 kilogramë patatina të llojit “STIZA Potato Chips Paprika”, me numër të LOT-it 909073. Ngarkesa ishte importuar nga kompania “BEST BT SH.P.K.” me seli në Prizren, por nuk ka arritur të futet në tregun vendas pas kontrolle laboratorike.
Inspektorati Fitosanitar Kufitar ka marrë vendim për kthimin e ngarkesës pasi analizat kanë konstatuar se niveli i akrilamidit ka qenë mbi vlerat referente të përdorura gjatë kontrollit. Kjo substancë kimike formohet gjatë përpunimit të ushqimeve të pasura me niseshte në temperatura të larta, si gjatë skuqjes dhe pjekjes.
Sipas njoftimit të AUV-së, Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore thekson se ekspozimi afatgjatë ndaj kësaj substance përbën shqetësim për shëndetin publik për shkak të potencialit kancerogjen. Institucioni ka njoftuar se do të vazhdojë kontrollet zyrtare për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve.