Kurti paralajmëron rritje pagash dhe pagë të 14-të për sektorin publik
Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar planet për buxhetin e vitit 2027, duke paralajmëruar rritje të pagave dhe përfitime shtesë për rreth 85 mijë punonjës të sektorit publik.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar rritje të mëtejshme të pagave për punonjësit e sektorit publik gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvend dhe në mbledhjen e Qeverisë, duke bërë të ditur se Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh rritjen e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro duke filluar nga 1 korriku. Krahas kësaj, buxheti parasheh ndarjen e pagës së 13-të në pjesën e parë të vitit dhe realizimin e rritjes së pagave në pjesën e dytë për rreth 85 mijë punonjës të këtij sektori, ndërsa synohet gjithashtu edhe vendosja e pagës së 14-të. «Me rritjen ekonomike do të vazhdojë rritja e pagave në sektorin publik», ka deklaruar Kurti, duke shtuar se paga mesatare pritet të kalojë një mijë euro në muaj. Buxheti i përgjithshëm për paga do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro, e cila kur pjesëtohet me numrin e të punësuarve rezulton në një pagë mesatare vjetore bruto mbi 12 mijë euro. Sipas kryeministrit, paga minimale prej 500 eurosh nuk do t’i nënshtrohet tatimit, ndërsa gjatë qeverisjes është zvogëluar dallimi mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë nga 20 me 1 në 4 me 1.