Myrto Uzuni kualifikon Austin, trajneri thur elozhe për sulmuesin
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, shënoi sërish për Austin në Leagues Cup, duke siguruar çerekfinalet e turneut.
TIRANË — Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, po kalon një formë të jashtëzakonshme me fanellën e Austin. Ai ka shënuar gola mbresëlënës dhe ka tundur sërish rrjetën në Leagues Cup, duke ndihmuar skuadrën e tij të sigurojë kualifikimin në çerekfinalet e turneut që organizohet mes ekipeve më të mira të MLS dhe kampionatit meksikan.
Për paraqitjen e tij, beratasi është shpallur sërish “Lojtari i Ndeshjes”. Trajneri i përkohshëm, Davi Arnaud, ka bërë deklarata vlerësuese për lojtarin shqiptar: “E dua Myrton. Më pëlqen mënyra se si luan dhe më pëlqen intensiteti i tij. Ai mund të jetë i zjarrtë ndonjëherë dhe e mban zemrën në mëngë. Është një lojë pasionante”.