Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Premte · 24 Korrik 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm

Muamed Sejdini lirohet nga paraburgimi — 1.15 milionë euro garanci

Ish-kryetari i FFM-së u akuzua për përvetësim në shërbim dhe pengim hetimit

Redaksia ZHURMA + Ruaj
Muamed Sejdini lirohet nga paraburgimi — 1.15 milionë euro garanci
FOTO · Foto: Micko Damnjanovski / Pexels

SHKUP — Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup e pranoi garancinë e ofruar prej mbi 1,15 milionë eurosh, me çka ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muamed Sejdini, i është hequr masa e paraburgimit, njoftojnë nga Gjykata Penale. Nga atje bëjnë të ditur se garancia përbëhet nga vendosja e hipotekës mbi një pronë të paluajtshm e, ndërsa si masë shtesë sigurie për të garantuar praninë e tij, të dyshuarit i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit.

Ish-kreu i FFM-së ndodhej në paraburgim që nga 24 prilli 2026, me propozim të Prokurorisë së Shkupit, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë për pengimin e hetimit përmes ndikimit mbi dëshmitarët. Pasi mbrojtja paraqiti kërkesë për heqjen e paraburgimit me garanci, ndërsa prokurori publik dha mendim pozitiv, gjyqtari e pranoi propozimin.

“Gjyqtari i procedurës paraprake solli vendim me të cilin e pranoi propozimin dhe garancinë e ofruar. Meqenëse kundër vendimit nuk u paraqit ankesë, ai u bë i plotfuqishëm, pas së cilës i dyshuari u lirua që të mbrohet në liri”, thuhet nga Gjykata Penale.

Sejdini dyshohet për veprën penale “përvetësim në shërbim”, pasi sipas pretendimeve të Prokurorisë, në periudhën nga nëntori deri në dhjetor të vitit 2024, si kryetar i FFM-së, i ka siguruar në mënyrë të kundërligjshme një dobi pasurore prej 660 mijë eurosh një kompanie nga Shkupi.

Dyshimet janë se keqpërdorimi ka ndodhur gjatë shfrytëzimit të mjeteve nga programi i UEFA-s, të destinuara për ndërtimin e tribunës në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër. “I dyshuari, në kundërshtim me vendimin e Bordit Drejtues, ka futur një kusht shtesë në kontratën e lidhur me kompaninë e përzgjedhur, me të cilin ka paraparë pagesë avansi në lartësi prej 20 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës, para fillimit të punimeve ndërtimore dhe pa asnjë veprim paraprak nga ana e kontraktuesit.

Njëkohësisht nuk ka paraparë asnjë garanci juridike për mjetet e paguara si avans”, thanë nga Prokuroria. Ky avans ishte paraparë pa u kërkuar fare nga kontraktuesi në ofertën e tij dhe pa asnjë garanci për mjetet e paguara para fillimit të punimeve ndërtimore.

Muamed Sejdini kaloi 92 ditë në paraburgim, ndërsa Alili falënderoi të gjithë ata që treguan solidaritet gjatë tre muajve të fundit.

Burim: Portaleb
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Sport →