MINTI nis fushatën për promovimin e produkteve vendore
Ministria e Industrisë ka lansuar nismën për mbështetjen e prodhimeve vendase përmes tregtisë elektronike në prag të festave.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka çelur fushatën e re, e cila synon promovimin e produkteve vendore dhe rritjen e shitjeve përmes platformave të tregtisë elektronike. Ministrja Kusari-Lila tha se kjo nismë vjen në prag të festave të nëntorit dhe të fundvitit, periudhë kur qytetarët dhe diaspora bëjnë blerje dhuratash. Ajo bëri me dije se fushatës i janë bashkuar tri platforma, Gjirafa, Foleja dhe Shopaz, ndërsa ftoi platformat e tjera vendore dhe prodhuesit që të bëhen pjesë e nismës, e cila do të vazhdojë deri në fillim të vitit 2027.
«Kur blejmë dhe dhurojmë një produkt Made in Kosova, nuk po i dhurojmë vetëm një dhuratë të thjeshtë. Ne po dhurojmë një vend të ri pune për një të ri apo të re, po mbështesim një familje dhe po ndërtojmë një ekonomi më të fortë e më të qëndrueshme për të gjithë», u shpreh Kusari-Lila, duke shtuar se produktet do të jenë vetëm një klikim larg çdo shtëpie dhe bashkatdhetari jashtë vendit.
Mërgim Cahani nga Gjirafa theksoi se kjo është një mundësi e mirë për kompanitë vendore që t'i shfaqin prodhimet e tyre, duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar bizneset në hapjen e dyqaneve online. Nga ana tjetër, Qëndresa Peja nga Foleja bëri të ditur se është krijuar një hapësirë e dedikuar për t'u ofruar prodhuesve mbështetje teknike e operacionale në tregtinë online, me synim që mallrat vendore të plasohen edhe në Shqipëri, Maqedoni dhe tregje ndërkombëtare.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar