Maqedoni-Sllovaki: Konfirmohet mbështetja për integrimin evropian
Presidentja Siljanovska-Davkova pret ministrin sllovak të Punëve të Jashtme, Juraj Blanar.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka pritur në një takim zyrtar ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovakisë, Juraj Blanar, ku janë konfirmuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. Sipas Kabinetit të Presidentes, gjatë bisedimeve u theksua rëndësia e mbështetjes sllovake për rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian, ndërsa u nënvizua nevoja që procesi i anëtarësimit të mbetet i bazuar në merita dhe në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës.
Siljanovska-Davkova ka vlerësuar se qasja në tregun e përbashkët evropian dhe fondet e BE-së ndihmojnë afrimin, por nuk mund të zëvendësojnë anëtarësimin e plotë, duke shprehur gjithashtu gatishmërinë për një dialog gjithëpërfshirës me Bullgarinë. Nga ana e tij, ministri Blanar rikonfirmoi përkushtimin e Sllovakisë për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar dialogun si të vetmen rrugë për tejkalimin e sfidave dhe duke shtuar se vendi i tij kundërshton çdo standard të dyfishtë ndaj shteteve kandidate. Gjatë vizitës në vend, kryediplomati sllovak u prit gjithashtu edhe nga homologu i tij, Timço Mucunski.