Zhurma Press E Diel · 06 Shtator 2026 — Prishtinë · Tiranë · Shkup · Diaspora Treguesi Kërko Ruajtur · 0 Abonohu falas
LIVE · 16:50 60+ burime · klasifikim automatik · mbikëqyrje redaksionale
E fundit Edicioni 13:00 · Dreka
ZHURMA
Politikë SHQ

Malltezi boton librin për 'çështjen Berisha': 35 falsifikime të një procesi politik

Procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit dhe liderit të opozitës, Sali Berisha

Redaksia ZHURMA 03:29 Përditësuar 16:24 1 min lexim
Malltezi boton librin për 'çështjen Berisha': 35 falsifikime të një procesi politik
FOTO · Foto: Sali Berisha 2025 / Wikimedia Commons Arkivi ZHURMA

Jamarrbër Malltezi ka publikuar librin e tij më të ri në gjuhën angleze, me titull 'The Political Process Against the Opposition Leader in Albania: 35 Falsifications of a Political Prosecution', ku trajton procesin gjyqësor ndaj ish-kryeministrit dhe liderit të opozitës, Sali Berisha.

Sipas autorit, libri paraqet atë që ai e cilëson si një proces politik të ndërtuar përmes dosjeve të manipuluara dhe akuzave të pabazuara, me qëllim goditjen e opozitës në Shqipëri.

Malltezi shkruan se prokurorët e çështjes kanë vepruar nën ndikim politik dhe kanë ndërtuar akuzat mbi '35 falsifikime', të cilat, sipas tij, dokumentohen me prova dhe fakte zyrtare.

Botimi përmban dokumente autentike zyrtare që datojnë nga viti 1935 deri në vitin 2009, të cilat, sipas autorit, provojnë pronësinë e ligjshme të familjeve pronare mbi tokat e konfiskuara nga regjimi komunist.

Në libër argumentohet se procesi i kthimit dhe kompensimit të këtyre pronave, i nisur rreth dy dekada më parë, nuk ka sjellë asnjë shkelje ligjore dhe nuk ka cenuar interesin publik.

Malltezi thekson se përmes dokumenteve, fakteve dhe provave të paraqitura, synon të tregojë se procedimi penal ndaj Berishës është ndërtuar mbi baza politike dhe jo juridike.

Ai pretendon se qëllimi i procesit ka qenë arrestimi i liderit të opozitës, në zbatim të asaj që ai e quan 'urdhër politik' i kryeministrit Edi Rama.

Sipas autorit, libri nuk është vetëm një dëshmi mbi rastin konkret të Sali Berishës, por edhe një paralajmërim mbi rrezikun e përdorimit të sistemit të drejtësisë si instrument politik, duke argumentuar se presioni politik mbi institucionet mund të çojë në deformimin e proceseve ligjore dhe të shtetit të së drejtës.

Burim: Politiko
— Redaksia ZHURMA

Komentet