Lush Susaj: Pedagogët që nuk dalin në protestë hanë sufllaqen e partisë
Profesori Lush Susaj kritikon ashpër klasën politike dhe pedagogët që mungojnë në protestat studentore.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Profesori Lush Susaj, i cili po merr pjesë rregullisht në protestat e studentëve, ka deklaruar se fitorja e tyre ndaj diktaturës është afër. Gjatë një prononcimi, ai ka kritikuar klasën politike për largimin e rinisë gjatë tri dekadave e gjysmë të fundit, duke theksuar se politikanët i kanë shkulur zemrën vendit.
Susaj ka drejtuar akuza të forta ndaj pedagogëve që nuk i bashkohen protestës, duke u shprehur se ata i shërbejnë partisë. «Ata pedagogë që nuk dalin, të hanë sufllaqen e partisë dhe të shkojnë te partia, por këtu është rinia e Shqipërisë», u shpreh ai, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për presione nga rektorët apo dekanët, por për frikë të pajustifikuar të vetë atyre.
Duke theksuar se do të vazhdojë të mbështesë të rinjtë çdo ditë, profesori ka përcjellë një mesazh se prania e tij pranë tyre do të mungojë vetëm pas vdekjes së tij.