Makfire Kastrati: 15 vjet pa vajzën time Diana
Nëna e Diana Kastratit publikon mesazh të dhimbshëm dhe rikujton mosveprimin e institucioneve për të mbrojtur vajzën e saj.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Makfire Kastrati, nëna e Diana Kastratit, ka publikuar një mesazh të dhimbshëm në Facebook, 15 vjet pas vrasjes së vajzës së saj. "15 vjet e 6 muaj e 12 ditë pa vajzën time Diana. 15 vite nuk u bë e mundur ta ndalonte shteti vrasësin, të cilit Diana i kërkoi urdhër mbrojtjeje, por ai as që veproi për ta mbrojtur dhe e neglizhoi", shkruan ajo. "Emri yt nuk harrohet kurrë, zemra e nënës, Diana, deri sa të më mbulojë dheu", përfundon.
Diana Kastrati u vra më 18 maj 2011, vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga Gjykata Komunale në Prishtinë. Mosveprimi i institucioneve për të trajtuar kërkesën brenda 24 orëve ligjore u kritikua nga Gjykata Kushtetuese në 2013. Në 2023, Gjykata e Apelit vendosi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria t’i paguanin prindërve 30 mijë euro dëmshpërblim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar gjykim në mungesë kundër Adnan Jasharit, duke dyshuar se e kishte vrarë me armë zjarri. Seanca fillestare pritet të mbahet gjatë këtij muaji.