Lladrovci kritikon pretendentët për kryetar të PDK-së
Ramiz Lladrovci ka reaguar ndaj kandidaturave për kryetar të PDK-së, duke kërkuar që të lejohet gara e rregullt e brendshme.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka adresuar kritika të ashpra ndaj personave që kanë shprehur ambicie për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai është shprehur i habitur me guximin e pretendentëve dhe u ka kërkuar të mos e paraqesin garën si sakrificë. «Kandidatët e deklaruar deri më tani për kryetar, të vetë ofruar e janë me numër besa gati sa gishtat e duarve që duan ta “sakrifikojnë” veten për PDK-në, i lus deri në qiell, mos u sakrifikoni», ka shkruar Lladrovci.
Sipas tij, udhëheqja e partisë kërkon guxim për t'u përballur me sfida të rëndësishme shtetërore e shoqërore, duke përfshirë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dialogun strategjik, agjendën evropiane, procesin integrues, uljen e shpërnguljes së të rinjve, zhvillimin ekonomik, arsimin cilësor dhe mbrojtjen e natyrës. Lladrovci ka kërkuar që procesi i zgjedhjeve të brendshme të zhvillohet normalisht, pa përdorur bërrylat dhe pa keqpërdorur vullnetin e simpatizantëve.
Gjithashtu, ai ka kritikuar largimin e figurave të suksesshme nga vendimmarrja ndër vite, duke theksuar se pretendentët aktualë i kanë arritur qëllimet e tyre jetësore falë anëtarësisë atdhetare të partisë së dalë nga Drejtoria politike e UÇK-së.