Lladrovci godet “kundërshtarët” brenda PDK-së: Mos i përdorni bërrylat e mos keqpërdorni vullnetin e njerëzve
Kryetari i Drenasit u kërkon pretendentëve për kryesimin e PDK-së një garë të brendshme të ndershme: «Lë të fitojë programi dhe aftësia».
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj kandidatëve që synojnë të bëhen kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, duke u kërkuar që procesi i zgjedhjeve të brendshme të zhvillohet «pa përdorur bërrylat» dhe pa keqpërdorur vullnetin e simpatizantëve.
Sipas tij, për të drejtuar partinë kërkohet guxim për partneritetin me Amerikën, për dialogun strategjik dhe agjendën evropiane, për uljen e shpërnguljes së të rinjve, për zhvillimin ekonomik dhe arsimin cilësor. Kandidatët e deklaruar deri tani Lladrovci i quan «të vetëofruar» dhe thotë se janë «gati sa gishtat e duarve».
«Lë të fitojë programi dhe aftësia për ta riafirmuar PDK-në, siç ka qenë, konstantë e shtetit», shkruan ai, duke kujtuar se partia ka dalë nga Drejtoria politike e UÇK-së.
Reagimi i plotë i Lladrovcit:
Për disa pretendentë që synojnë të bëhen kryetar të PDK-së, po më habisin me guximin e tyre. Kërkohet guxim për të qenë partner me Amerikën, zgjidhjen e çështjeve si dialogu strategjik, agjendën evropiane dhe procesin integrues, me ulë numrin e shpërnguljes së të rinjve, zhvillim ekonomik, arsim, cilësor, mbrojtje të natyrës, dhe qindra aftësi e dije tjera për ta bërë Kosovën shtet ku sundon ligji, me mundësi e gjasa të barabarta.
Kandidatët e deklaruar deri më tani për kryetar, të vetë ofruar e janë me numër besa gati sa gishtat e duarve që duan ta “sakrifikojnë” veten për PDK-në, i lus deri në qiell, mos u sakrifikoni. Leni procesin normal të zgjedhjeve të brendshme të zhvillohet si duhet, pa përdorur bërrylat dhe duke keqpërdorur vullnetin e simpatizantëve. Lë të fitojë programi dhe aftësia për ta riafirmuar PDK-në, siç ka qenë, konstantë e shtetit.
Ata që kanë ambicie për tu bërë lider i PDK-së, kanë ambicie deri diku edhe të arsyeshme, sepse, qëllimet jetësore, tashmë i kanë arritur. Sigurisht, ata kanë arritur në saje të anëtarësisë atdhetare të kësaj partie të dalë nga Drejtoria politike e UÇK-së. Ka vite që të suksesshmit largohen nga vendimmarrja, andaj, atyre ju ka mbetur të sprovohen edhe aty ku do të duhej të jenë të fundit që do të sprovoheshin, kryetar a kryetare me dry në xhep.