Lista Serbe punësonte pesë nga gjashtë të akuzuarit për barrikadat
Si i detyronin strukturat paralele serbe punëtorët e tyre të qëndronin në barrikada nën kërcënimin e largimit nga puna?
PRISHTINË — Prokuroria Speciale ka zbardhur lidhje të ngushta mes të akuzuarve për barrikadat e vitit 2022 në veri dhe krerëve të Listës Serbe. Sipas aktakuzës së re, pesë nga gjashtë personat e ndjekur penalisht për sulm ndaj rendit kushtetues ishin të punësuar në strukturat paralele që kontrolloheshin nga ky subjekt.
Detajet e dosjes tregojnë se dy nga të akuzuarit, Dushan Maksimoviq dhe Nemanja Jolloviq, punonin në hotelin "Rajska Banja" të Milan Radoiçiqit. Ndërkaq, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq ishin pjesë e ndërmarrjes "Standard" të udhëhequr nga Goran Rakiq, kurse Dushan Drobac punonte në Fondin Pensional të Serbisë nën drejtimin e Igor Simiqit.
Prokuroria argumenton se këta punonjës nuk ishin thjesht protestues vullnetarë, por detyroheshin të qëndronin në barrikada sipas një programi të paracaktuar. Strukturat kriminale të udhëhequra nga organizata "Mbrojtja Civile" përdornin kërcënime me dhunë dhe me humbje të vendeve të punës për të garantuar prezencën e tyre në pikat bllokuese.
Sipas organit të akuzës, lokacionet e barrikadave nuk ishin thjesht pengesa rrugore të një proteste të zakonshme, por paraqitnin pozicione sulmuese luftarake me prani të njerëzve të armatosur. Personat që refuzonin të merrnin pjesë në këto organizime ndëshkoheshin me djegie të veturave, kurse disa qytetarë serbë madje janë kidnapuar e torturuar.
Aktakuza përmend komunikimet në grupin e Viberit të quajtur "Barrikadat tetor 2022", ku i akuzuari Millosh Radosavleviq dërgonte oraret e rojeve. Në këtë grup shkëmbeheshin mesazhe për marrje të municionit, mbërritje të uniformave dhe sigurim të revoleve, për të cilat i akuzuari Maksimoviq nuk ka dhënë shpjegime para prokurorëve.
Maksimoviq aktualisht ndodhet në burg, pasi është dënuar në shkallë të parë me 30 vjet burgim për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë. Ai dhe të akuzuarit e tjerë ngarkohen me bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim sulmin ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe pengim të personit zyrtar.
Bllokimi i rrugëve në veri kishte filluar më 10 dhjetor 2022 dhe përfundoi më 5 janar 2023, pas kundërshtimit të targave serbe nga Lista Serbe dhe Serbia. Ata kërkonin lirimin e Dejan Pantiqit, që më vonë është dënuar për sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.
Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.