Pse LDK-ja është para një udhëkryqi të madh?
Cilindo drejtim që e merr, ka pasoja të ndjeshme për të ardhmen e partisë
PRISHTINË — Avokati Shkëlzen Sopjani ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ndodhet në një moment vendimtar politik, ku çdo opsion i mundshëm do të sjellë pasoja të ndjeshme për të ardhmen e partisë.
Sipas tij, zhvillimet e fundit brenda LDK-së tregojnë për thellim të përçarjeve dhe rritje të pakënaqësive, si në nivelin e strukturave partiake ashtu edhe në raport me orientimin e ardhshëm politik.
“LDK-ja është para një udhëkryqi të madh. Cilindo drejtim që e merr, ka pasoja. Nuk është një vendim i lehtë dhe nuk ka zgjidhje pa kosto politike”, ka deklaruar Sopjani.
Ai ka theksuar se debati i brendshëm në LDK është intensifikuar sidomos rreth mundësisë së bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe rreth drejtimit aktual të partisë.
“Në këtë fazë po shihet qartë se ekzistojnë disa rryma brenda partisë. Një pjesë janë pro koalicioneve të mundshme, një pjesë tjetër janë kategorikisht kundër, ndërsa një grup i tretë po pret zhvillimet dhe ende nuk e ka shprehur publikisht qëndrimin e vet”, është shprehur ai.
Sopjani shtoi se këto ndarje nuk janë sipërfaqësore, por reflektojnë një problem më të thellë të komunikimit dhe koordinimit brenda strukturave të LDK-së.
“Problemi kryesor është se vendimet nuk po dalin si rezultat i një konsensusi të qartë. Ka pakënaqësi ndaj lidershipit aktual dhe një debat të hapur për drejtimin që duhet të marrë partia në të ardhmen”, ka theksuar ai.
Sipas tij, situata aktuale mund të ndikojë drejtpërdrejt në aftësinë e LDK-së për të formuar koalicione qeverisëse dhe për të marrë rol udhëheqës në proceset institucionale.
“Kjo gjendje e brendshme e bën shumë të vështirë jo vetëm ndërtimin e koalicioneve, por edhe funksionimin normal të partisë në vendimmarrje strategjike. Çdo hap i gabuar mund të ketë pasoja afatgjata”, ka përfunduar Sopjani.
Burim: Gazeta Dukagjini
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.