Lamallari dhe Hita inspektojnë masat e sigurisë në Himarë
Ministri thotë policia ka shpëtuar më shumë se 200 turistë në katër muaj dhe ka kontrolluar 4220 mjete, 21 për qind më shumë se vitet e kaluar.
HIMARË — Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan të dielën një inspektim në Himarë për të vëzhguar zbatimin e masave të rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror.
Gjatë takimit me kryetarin e Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, ministri Lamallari theksoi se siguria është elementi kyç që garanton zhvillimin e turizmit dhe se bashkëpunimi me pushtetin vendor është vendimtar. “Siguria nuk është thjesht një detyrim i shtetit, por premtimi ynë për çdo qytetar dhe çdo vizitor që zgjedh Shqipërinë”, u shpreh ai.
Sipas të dhënave të paraqitura nga ministri, vetëm në katër muajt e fundit Policia e Shtetit ka ndërhyrë në 67 raste për t’u ardhur në ndihmë turistëve, duke shpëtuar mbi 200 vizitorë, kryesisht në zonat malore të Çikës, Gjipesë dhe jugut të vendit.
Kontrollet në vijën bregdetare janë intensifikuar. “Vetëm gjatë katër muajve të fundit janë kontrolluar 4220 mjete lundruese, 21% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Janë sanksionuar 166 raste të shkeljeve në det”, deklaroi Lamallari.
Drejtori Hita prezantoi një risi të rëndësishme të këtij sezoni: për herë të parë kontrolli kufitar detar kryhet drejtpërdrejt në det. Jahtet dhe mjetet lundruese nuk duhet më të paraqiten në pikat e kalimit kufitar, pasi Policia Kufitare shkon pranë tyre dhe verifikon në sistemin TIMS.
Kryetari Tavo vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit si faktor kyç për mbarëvajtjen e një sezoni të sigurt turistik, duke theksuar mbështetjen në menaxhim të trafikut, operacione shpëtimi dhe administrimin e problematikave të zhurmasë dhe qarkullimit.
Institucionet angazhohen për standarde maksimale, reagim të shpejtë dhe tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje që çenon sigurinë apo imazhin e vendit si destinacion turistik i sigurt.
Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA




