Kurti takon Kosin në Mal të Zi, kërkon mbështetje për anëtarësim në BE
Kryeministri Albin Kurti takoi Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shën Stefan të Malit të Zi.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shën Stefan të Malit të Zi, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit. Kurti theksoi se me institucione plotësisht funksionale, Kosova do t’i përshpejtojë reformat. Ai përmendi miratimin e ligjit për integrim në SEPA, që do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit, si dhe fillimin e negociatave për “Roam like at Home” për t’ju bashkuar zonës pa tarifa shtesë. Kurti theksoi se përparimi demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë. Ai kërkoi mbështetjen proaktive të Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim. Kurti përmendi gjithashtu se Kosova ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet e Procesit të Berlinit, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të cilat duhet t’i zbatojnë edhe fqinji verior, Serbia.