Protesta të reja të “Gjeneratës Z” paralajmërohen në Gjermani
Policia gjermane bëhet gati për operacione në shkallë të gjerë ndërsa nisma “Gen Z” paralajmëron tubime në 21 qytete.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Nisma “Gen Z” ka paralajmëruar organizimin e protestave në Gjermani më 31 tetor, nën sloganin “Brezi Z merr drejtimin”. Përballë këtij organizimi, policia gjermane ka nisur përgatitjet për operacione në shkallë të gjerë, duke marrë parasysh mundësinë e përplasjeve të dhunshme në të paktën 21 qytete të mëdha të vendit.
Temat kryesore që pritet të ngrihen në këto tubime përfshijnë arsimin, koston e jetesës dhe kundërshtimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Bashkëthemeluesi i nismës, Akram Zelo, deklaroi: «Distancohemi plotësisht nga çdo formë dhune». Ai theksoi se personat që njoftojnë autoritetet për tubimet janë gjithashtu përgjegjës për garantimin e zhvillimit paqësor të tyre.
Nga ana e strukturave të sigurisë, kreu federal i Sindikatës së Policisë Gjermane, Jochen Kopelke, ka shprehur shqetësim në një prononcim për gazetën BILD, duke e cilësuar situatën si të paparashikueshme. Duke iu referuar raportimeve për luftime në rrugë nga kolegët në Francë, Kopelke shtoi se historiku i Gjermanisë tregon se situata të tilla janë përjetuar edhe në të kaluarën.