Kurti: Pse Reçaku priste 27 vjet për arrestimet e para?
Pse masakra e Reçakut mungonte për dy dekada në prioritetet e drejtësisë, ndërsa tani u arrestuan pesë të dyshuar në gjashtë muaj?
PRISHTINË — Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka reaguar pas arrestimit të pesë ish-pjesëtarëve të policisë së Serbisë, të dyshuar për përfshirje në masakrën e Reçakut, duke thënë se ky rast ka munguar për vite të tëra në prioritetet e institucioneve të drejtësisë.
"Afër 27 vjet e gjysmë pas masakrës së Reçakut janë arrestuar pesë ish-pjesëtarë të policisë së Serbisë", tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë. Ai përgëzoi institucionet për këtë veprim, i cili erdhi pas një hetimi gjashtëmujor.
Nuk mund të mos vëmë në spikamë faktin se deri në vitin 2020 nuk është marrë askush me këtë rast, shtoi ai. Sipas tij, nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i, asnjë nuk kishte të bënte me masakrën e Reçakut.
"Rrjedhimisht nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i, asnjë nuk ishte për masakrën e Reçakut. Në anën tjetër kemi 6 muaj hetim, ndërkohë kemi më shumë se dy dekada dështim apo pa kurrfarë përpjekje për ndjekje të përgjegjësve dhe zero angazhim për drejtësi", deklaroi Kurti.
Kurti theksoi se kalimi i kohës po e vështirëson gjithnjë e më shumë sigurimin e drejtësisë për krimet e luftës. "Derisa po afrohemi 3 dekada nga lufta e fundit, dëshmitarët po plaken e jo pak po vdesin", tha ai.
Masakra e Reçakut, e kryer më 15 janar 1999, konsiderohet një nga krimet më të rënda të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Gjykata e Prishtinës ka caktuar paraburgim 1-mujor ndaj pesë të pandehurve: Novica Peçinoqeviq, Stanoje Janiçeviq, Borko Paliq, Sllaxhan Milisavleviq dhe Stanko Saviq.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të dyshuarit ishin pjesëtarë të Njësive të Veçanta të Policisë (PJP) të Serbisë, përveç Saviq që ishte polic në stacionin e Ferizajt. Ata akuzohen se më 15 janar 1999 morën pjesë në vrasjen e 42 civilëve të fshatit Reçak.
Burim: Kallxo, https://kallxo.com/uncategorized/kurti-per-arrestimet-per-masakren-e-recakut-per-me-shume-se-dy-dekada-pati-deshtim-dhe-zero-angazhim-per-drejtesi/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.