Arrestohet shtetasi gjerman pas zbulimit të 43 armëve në automjet
Policia ka ndaluar një shtetas gjerman pas zbulimit të dhjetëra armëve automatike në një automjet me targa të huaja.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Autoritetet doganore kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme armësh gjatë kontrollit të një automjeti të tipit VW Caddy me targa të huaja, përmes pajisjeve skanuese të siguruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit janë «identifikuar dhe zbuluar: 42 pushkë automatike të tipit AK-47 (Kallashnikov); 1 pushkë e tipit Walther, kalibër 12 mm; 41 karikatorë për armë të tipit AK-47». Rasti është trajtuar në bashkëpunim me Policinë dhe institucionet e drejtësisë.
Lidhur me këtë ngjarje, Policia e Kosovës ka arrestuar shtetasin e Gjermanisë, L.S., nën dyshimet për përfshirje në trafikimin e kundërligjshëm të armëve dhe krim të organizuar. Me urdhër të Prokurorisë Speciale, ndaj të dyshuarit është vendosur masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa institucionet kanë theksuar rëndësinë e fuqizimit të kapaciteteve teknologjike përmes mbështetjes amerikane.