Kreditimi i ri arrin rekord historik — 223 miliardë lekë për 6 muaj
Sipas Bankës së Shqipërisë, bizneset morën pjesën kryesore të financimit për investime, ndërsa huatë për shtëpi pësuan rënie.
TIRANË — Kreditimi i ri për ekonominë shqiptare ka arritur në 223 miliardë lekë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke regjistruar vlerën më të lartë historike të shënuar ndonjëherë për këtë periudhë. Shifra përfaqëson një rritje prej 9.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, vetëm për muajin qershor sektori bankar disbursoi 45.3 miliardë lekë kredi të reja. Kjo shifër shënon një rritje të konsiderueshme prej 16.7% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke konfirmuar trendin pozitiv të financimit.
Rritja kryesore u mbështet te bizneset, të cilat morën 148.7 miliardë lekë kredi të reja në gjashtë muaj, me një zgjerim vjetor prej 12.5%. Ky financim u rrit në përmasa të përafërta si në monedhën vendase, ashtu edhe në euro, ndërsa sipas qëllimit të përdorimit rritja erdhi kryesisht nga kreditë për investime.
Nga ana tjetër, kreditimi për individët arriti në 73.4 miliardë lekë, duke u rritur me 9.2%. Megjithatë, kreditë e reja për shtëpi pësuan rënie prej 3.7%, e ndikuar nga masat kufizuese të Bankës së Shqipërisë që vendosën tavan mbi përqindjen e financimit të pronave dhe këstet.
Këto masa rregullatore patën ndikim modest gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, por efekti i tyre po bëhet më i prekshëm gjatë vitit 2026. Si rrjedhojë, rritja e kredisë për individë gjatë gjashtëmujorit të parë është mbështetur tërësisht te produktet e kredisë konsumatore.
Në fund të qershorit, portofoli i përgjithshëm i kredisë për ekonominë arriti në 992.8 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 11.2%. Kjo rritje vjetore mbetet pranë niveleve më të larta në 18 vitet e fundit, e nxitur veçanërisht nga teprica e kredisë për individë me 16.8%.
Burim: Monitor
— Redaksia ZHURMA