Sent siguron 12 milionë dollarë për platformë mesazhesh me AI
Platforma e re mundëson kompanive të kontaktojnë përdoruesit përmes SMS-it, WhatsApp-it dhe teknologjisë RCS
PRISHTINË — Kompania teknologjike Sent, e bashkëthemeluar nga Daniel Vataj dhe Betim Drenica, ka siguruar 12 milionë dollarë në një raund të ri investimi për zhvillimin dhe zgjerimin e platformës së saj të komunikimit të mbështetur nga inteligjenca artificiale. Platforma zhvillohet nga ekipet e kompanisë në New York dhe Kosovë, duke bashkuar ekspertizën teknologjike dhe inxhinierike në të dyja lokacionet.
Raundi "Series A" u udhëhoq nga Companyon Ventures, me pjesëmarrjen e Bessemer Venture Partners, Urban Innovation Fund dhe CP Overture. Investimi i ri pritet ta ndihmojë Sent të zgjerojë infrastrukturën, rrjetin e operatorëve dhe shërbimet e saj në tregun global.
Sent u mundëson kompanive t’i kontaktojnë përdoruesit përmes SMS-it, WhatsApp-it dhe teknologjisë RCS, duke i bashkuar këto kanale në një platformë të vetme. Sistemi përdor inteligjencën artificiale për të analizuar në kohë reale se cili kanal është i disponueshëm dhe më i përshtatshëm për secilin përdorues.
Në vend që një biznes ta dërgojë mesazhin vetëm përmes SMS-it dhe të shpresojë se ai do të arrijë te marrësi, platforma e Sent mund ta drejtojë automatikisht mesazhin përmes WhatsApp-it, RCS-it ose SMS-it, varësisht nga kanali që përdoret nga marrësi.
Ideja për krijimin e kompanisë lindi nga problemet që Vataj dhe Drenica kishin hasur gjatë zhvillimit të produkteve që vareshin nga dërgimi i mesazheve. Vataj kishte mbetur pa qasje në llogarinë e tij bankare gjatë një udhëtimi ndërkombëtar, pasi kodi i verifikimit i dërguar përmes SMS-it nuk i kishte arritur.
Mesazhi mund të ishte dërguar përmes WhatsApp-it, por sistemi i bankës nuk e ofronte një mundësi të tillë. Ky rast, së bashku me përvoja të ngjashme të Drenicës, i shtyu ata të ndërtonin një infrastrukturë që nuk varet vetëm nga një kanal komunikimi.
"Agjentët e inteligjencës artificiale së shpejti do të dërgojnë më shumë mesazhe biznesi sesa njerëzit, ndërsa infrastruktura që qëndron pas tyre nuk është e gatshme", ka deklaruar bashkëthemeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Sent, Daniel Vataj.
Platforma përfshin edhe zbatimin automatik të lejeve të përdoruesve, rregullat specifike për vende të ndryshme, kontrollin e përmbajtjes dhe regjistrimin për pajtueshmëri në tregjet globale. Sent së fundmi është licencuar si operator telekomunikacioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kaluar nga një ofrues softuerësh në një pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në infrastrukturën e telekomunikacionit.
Kjo i mundëson kompanisë të ndajë drejtpërdrejt numra telefoni dhe të operojë me kapacitete teknike dhe rregullatore të krahasueshme me kompanitë tradicionale të sektorit. Investimi prej 12 milionë dollarësh do të përdoret për zgjerimin e rrjetit të drejtpërdrejtë të operatorëve, avancimin e infrastrukturës së mesazheve për produktet dhe agjentët e inteligjencës artificiale, si dhe rritjen e ekipeve të inxhinierisë, pajtueshmërisë dhe shitjes për klientët e mëdhenj.
Burim: Telegrafi, https://telegrafi.com/kompania-e-daniel-vatajt-dhe-betim-drenices-siguron-12-milione-dollare-per-platformen-e-mesazheve-me-ai/
— Redaksia ZHURMA