Komisioni kërkon raportim nga Vitia për 1.8 miliardë eurot në shëndetësi
Komisioni parlamentar kërkon llogaridhënie nga ministri Arben Vitia dhe SHSKUK-ja për mjetet e ndara gjatë pesë viteve të fundit.
Redaksia ZHURMA · · 4 min lexim
Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi kanë kërkuar raportim nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe nga përfaqësuesit e Shërbimit Spitalor dhe me Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), lidhur me menaxhimin e më se 1.8 miliard eurove të ndara për këtë sektor gjatë pesë viteve të fundit.
Kjo kërkesë vjen në kuadër të diskutimeve parlamentare për transparencën, llogaridhënien dhe përmirësimin e shërbimeve mjekësore për pacientët, si dhe për zgjidhjen e shqetësimeve që lidhen me furnizimin me insulinë në vend.
Anëtarja e Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Albena Reshitaj, kundërshtoi vlerësimin se është herët për ftesën e zyrtarëve shëndetësorë, duke theksuar se kjo duhej të bëhej më parë. Reshitaj nënkujtoi se gjatë pesë viteve të fundit janë dedikuar mbi 1.8 miliardë euro për shëndetësinë dhe se duhet të sqarohet nëse këto investime kanë sjellë përmirësime direkte te shërbimet për pacientët.
Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, deklaroi se kryeministri e ka paraqitur programin qeveritar tri herë në Kuvend, por zbatimi i tij ishte penguar nga zgjedhjet e njëpasnjëshme. Azemi shtoi se tashmë të gjitha institucionet janë funksionale dhe çdo ministri e ka të qartë planin që duhet të zbatojë.
Ndaj deklaratës së Azemit reagoi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, e cila kërkoi që qeveria të paraqesë një program të qartë qeverisës me agjendë parlamentare, duke theksuar se diskutimi duhet të përqendrohet te vizioni dhe objektivat e jo te premtimet e fushatave zgjedhore.
Kryetari i komisionit, Uran Ismaili, vlerësoi se raportimi i ministrit Arben Vitia është i nevojshëm për të shqyrtuar punën e deritashme dhe planet për të ardhmen. Ismaili ngriti edhe shqetësimin e qytetarëve për furnizimin me insulinë, duke theksuar se ministrit duhet t'i jepet mundësia të raportojë para komisionit meqë nuk është i ri në këtë pozitë.
Ministri Arben Vitia dhe përfaqësuesit e SHSKUK-së pritet të ftohen për të raportuar para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi mbi rezultatet e investimeve dhe masat e planifikuara.
«Nuk pajtohem me idenë që është herët me i ftu në raportim ministrin dhe përfaqësuesit e SHSKUK-së. Mendoj që jemi vonë. Unë kam fol për punën e transparencës dhe llogaridhënies në këtë institucion shëndetësor. Konsideroj që është shumë e rëndësishme. Janë mbi 1.8 miliardë euro që janë dedikuar për shëndetësi këto pesë vjet dhe është shumë me rëndësi nëse ato kanë arritur në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët», tha Albena Reshitaj.
«Tri herë kryeministri e ka paraqitur programin e qeverisë, mirëpo fatkeqësisht për shkak të zgjedhjeve që shkaktoheshin një pas një, asnjëherë nuk mund të implementohej deri tash. Fatmirësisht i kemi të gjitha institucionet dhe secila ministri e din planin dhe planprogramin që duhet ta zbatojë», deklaroi Egzon Azemi.
«Z. Azemi, unë e tash ne nuk po flasim për programe elektorale, por po flasim për vizion dhe qartësi të qeverisë. Ne kemi pas shumë shpesh zgjedhje, kemi dëgjuar çfarë kanë thënë ministrat, kryeministri gjatë fushatave zgjedhore. Por sot, meqë kemi qeveri dhe institucione dhe Kuvend, është e domosdoshme që ne të flasim për një program qeverisës, me agjendë të qartë parlamentare, të cilën nuk e kemi. Nuk po flas për premtime që janë dhënë gjatë fushatave, e kemi parë sa janë përmbushur», tha Blerta Deliu.
Pyetje e përgjigje
Çfarë po kërkon Komisioni për Shëndetësi nga ministri Vitia?
Komisioni kërkon që ministri Arben Vitia dhe përfaqësuesit e SHSKUK-së të raportojnë për llogaridhënien, përmirësimin e shërbimeve dhe arsyet e ndarjes së mbi 1.8 miliardë eurove për shëndetësi gjatë pesë viteve të fundit.
Cilat shqetësime specifike u ngritën gjatë mbledhjes së komisionit?
Kryetari i komisionit, Uran Ismaili, ngriti shqetësimet e qytetarëve lidhur me furnizimin me insulinë, si dhe nevojën që ministri të paraqesë masat e planifikuara për përmirësimin e shërbimeve.