Vitia: 53.4% e grave me kancer të gjirit kapen në fazat e hershme
Ministri i Shëndetësisë deklaroi se mbi gjysma e rasteve të kancerit të gjirit identifikohen në stadin e parë dhe të dytë.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Gjatë Simpoziumit të Tretë për Kancerin e Gjirit, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se 53.4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë. Ai theksoi se zbulimi i hershëm rrit mundësitë për sukses të trajtimit dhe mbijetesë.
Vitia bëri të ditur se Kosova ka për herë të parë planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028, ndërsa mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore. Sipas tij, këtë vit po shtohen tetë mamografë digjitalë në komunat ku kanë munguar, kurse përmes mamografit mobil ofrohet shërbimi edhe për gratë në komunat pa aparatura. Ai gjithashtu përmendi se Klinika e Onkologjisë është modernizuar me dy akseleratorë të rinj dhe buxheti për barna onkologjike është rritur në 22 milionë euro.
Nga ana e tij, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, tregoi se gjatë vitit 2025 janë realizuar 1 mijë e 847 mamografi, prej të cilave 463 vetëm gjatë muajit tetor, ndërsa këtë vit janë realizuar 700 mamografi, rreth 150 prej tyre në muajin tetor. Në këtë ngjarje, kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Osman Zhuri, u shpreh se simpoziumi synon të shërbejë për shkëmbimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.