Itali: 29-vjeçari pranon vrasjen e shqiptarit Denaldo Maxhallaku
Autori i dyshuar ka pranuar krimin para hetuesve italianë, duke deklaruar se u ndje i kërcënuar gjatë një konflikti për borxhe droge.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Një 29-vjeçar italian ka pranuar përgjegjësinë për vrasjen e 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku, trupi i pajetë i të cilit u gjet në një pusetë betoni në zonën e Felloniche, në Longiano. Viktima, i cili punonte si bojaxhi dhe jetonte në Gatteo, ishte zhdukur që prej mbrëmjes së 8 tetorit, pasi ishte larguar nga shtëpia me pretendimin se do të kthehej pas një takimi në një lokal. Hetuesit kishin arritur te i dyshuari përmes analizës së të dhënave të komunikimeve telefonike, pasi ai rezultonte personi i fundit që kishte pasur kontakte me Maxhallakun.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga autoritetet, dy të rinjtë ishin takuar në banesën e 29-vjeçarit, ku një debat për një detyrim financiar të lidhur me lëndët narkotike degjeneroi në përplasje të dhunshme dhe përdorim të armës së zjarrit. Gjatë marrjes në pyetje, i ndaluari deklaroi se kishte humbur kontrollin e situatës dhe se kishte vepruar nga frika. «Kisha frikë për veten dhe familjen time, u ndjeva i kërcënuar», mësohet të ketë thënë ai para karabinierëve, duke pranuar se pas krimit kishte transportuar trupin e viktimës dhe e kishte fshehur në pus, ndërsa kishte djegur automjetin e tij për të zhdukur gjurmët.
I dyshuari mbahej në kazermën e karabinierëve në Savignano në pritje të seancës për vleftësimin e ndalimit, ndërsa ekspertiza mjekoligjore dhe autopsia pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e plota të vdekjes. Bashkëshortja e 31-vjeçarit, e cila tregoi se ai ishte një baba dhe bashkëshort i kujdesshëm që la pas një vajzë vetëm një vjeçe, po asistohet nga avokati Raffaele Pacifico.