Hoxhaj: Për kreun e PDK-së duhet drejtim i ri dhe përballje me Kurtin
Ish-ministri i jashtëm ka shprehur gatishmërinë për të garuar për kryetar të partisë kur të hapet gara.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se zgjedhja e kryetarit të ri të Partisë Demokratike të Kosovës kërkon një drejtim të ri politik dhe gatishmëri për përballje të ashpër politike me Albin Kurtin. Gjatë një paraqitjeje televizive në emisionin “Shteg”, ai theksoi se vendimin përfundimtar për kandidaturën do ta marrë pasi të hapet zyrtarisht gara brenda partisë.
Hoxhaj u shpreh se zotëron përvojën, guximin dhe përvojën intelektuale për ta kaluar PDK-në nga opozita në pushtet, duke synuar largimin e Kurtit. Sipas tij, procesi nuk duhet të kufizohet vetëm te ndryshimi i emrit apo i personazhit, por te përcaktimi i një qasjeje të qartë politike që e rikthen PDK-në si një aset kombëtar me lidership të ri.
Ai gjithashtu kritikoi opozitën për qasjen e mbajtur gjatë gjashtë viteve të fundit, duke vlerësuar se ajo ka pranuar degradimin dhe izolimin ndërkombëtar. Duke kërkuar një opozitë të madhe dhe funksionale në vend, ai mbrojti idenë se vetëm përplasja e ideve dhe koncepteve mund të ofrojë zgjidhje të vërteta politike.