Mickoski: Ekonomia nuk njeh kufij etnikë, ekonomi e fortë nënkupton shtet të fortë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut mori pjesë në manifestimin e Omës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mori pjesë në edicionin e shtatëmbëdhjetë të manifestimit «TOP 100», i cili organizohet nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore për të vlerësuar kompanitë më të suksesshme dhe kontributin e tyre në ekonominë vendore. Gjatë këtij organizimi, kryeministri uroi sipërmarrësit dhe kompanitë e shpërblyera që kontribuojnë në hapjen e vendeve të punës dhe krijimin e vlerave të reja, duke theksuar se çdo sukses në biznes dhe vend pune i hapur është përfitim për shtetin.
Mickoski deklaroi se zhvillimi ekonomik nuk duhet ndarë mbi baza etnike apo fetare, duke shtuar se synimi është ndërtimi i një ekonomie ku shpërblehet puna dhe nxiten investimet. «Ekonomia nuk njeh kufij etnikë apo fetarë. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një ekonomi ku puna shpërblehet, investimet nxiten, të rinjtë kanë perspektivë, ndërsa kompanitë vendore janë konkurruese në tregjet evropiane dhe botërore», tha ai.
Në fjalën e tij, kreu i ekzekutivit vlerësoi se Qeveria që drejton mbetet partnere e komunitetit të biznesit për realizimin e investimeve të reja, rritjen e prodhimit dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik. «Ekonomi e fortë do të thotë Maqedoni e fortë», përfundoi Mickoski.