Hoxha: Shqipëria kërkon vlerësim në BE mbi bazën e meritës
Ministri i Jashtëm deklaroi nga Berlini se procesi i anëtarësimit duhet të bazohet te reformat dhe rezultatet konkrete.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 3 min lexim
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi në Berlin se Shqipëria nuk kërkon rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por kërkon vlerësim të bazuar mbi meritën.
Kryediplotmati shqiptar mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me titull «Zgjerimi i BE-së: Vlerësimi i koncepteve të reja dhe perspektiva për vitin 2027». Ky aktivitet u organizua nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP).
Në fjalën e tij, ministri Hoxha u shpreh se rrethanat gjeopolitike e kanë kthyer procesin e zgjerimit në një domosdoshmëri strategjike si dhe sigurie për kontinentin evropian. Megjithatë, sipas tij, ky proces nuk mund të realizohet duke cenuar përmbajtjen apo standardet e kërkuara, pasi zbatimi i reformave mbetet kryesor.
Hoxha nënvizoi se anëtarësimi fitohet përmes punës, ndërtimit të institucioneve demokratike dhe përmbushjes së kapitujve e standardeve. Sipas tij, Shqipëria po zbaton reformat me llogaridhënie, por nënvizoi se procesi i meritës duhet të funksionojë në të dyja krahët: kur vendet kandidate japin rezultate, Evropa duhet të përgjigjet me progres konkret.
«Ne nuk po bëjmë reforma thjesht për t’u bërë europianë por sepse jemi Europianë dhe sepse qytetarët tanë meritojnë institucione që funksionojnë sipas standardeve europiane», deklaroi ministri Hoxha gjathë konferencës.
«Anëtarësimi në BE fitohet me meritë, nuk dhurohet si akt solidariteti. Fitohet reformë pas reforme, kapitull pas kapitulli, standard pas standardi, duke ndërtuar institucione funksionale, demokratike dhe të përgjegjshme, për të cilat Shqipëria ka nevojë për veten e saj dhe që anëtarësimi në BE kërkon. Shqipëria po bën pikërisht këtë: reforma, zbatim, llogaridhënie dhe vlerësim mbi bazën e meritës. Por një proces i bazuar në meritë duhet të funksionojë në të dyja drejtimet. Kur vendet kandidate japin rezultate, Europa duhet të përgjigjet. Kur reformat sjellin rezultate, ato duhet të përkthehen në progres konkret. Sepse zgjerimi nuk ka të bëjë thjesht me një Bashkim Europian më të madh. Ka të bëjë me një Europë më të fortë, më të sigurt dhe, më në fund, të bashkuar plotësisht», përfundoi ai.
Pyetje e përgjigje
Ku u mbajt konferenca për zgjerimin e BE-së?
Konferenca ndërkombëtare «Zgjerimi i BE-së: Vlerësimi i koncepteve të reja dhe perspektiva për vitin 2027» u zhvillua në Berlin, e organizuar nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë.
Çfarë kërkon Shqipëria në procesin e integrimit?
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha deklaroi se Shqipëria nuk kërkon rrugë të shkurtra apo anëtarësim si akt solidariteti, por kërkon vlerësim mbi bazën e meritës dhe reformave të zbatuara.