Hetimet marrin kthesë: I arrestuari në Greqi dyshohet për vrasje
Hetimet për shqiptarin e arrestuar nga forcat speciale greke EKAM marrin kthesë pas dyshimeve të reja të policisë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Hetimet ndaj 43-vjeçarit të arrestuar në Greqi nga forcat speciale EKAM kanë marrë kthesë pas dyshimeve se ai mund të jetë një person i kërkuar në Shqipëri dhe i dënuar për vrasje. I dyshuari fillimisht u identifikua si Nikolin Pali, 43 vjeç, i njohur atje me emrin Niko, ndërsa policia greke kishte njoftuar se ai ishte i dënuar si autor i një vrasjeje të dyfishtë në vitin 2020 në Greqi, i dyshuar si vrasës me pagesë dhe i kërkuar në Shqipëri për vjedhje me armë të mbetur në tentativë e të kryer në bashkëpunim. Gjatë kontrollit të banesës së tij në Greqi, autoritetet i gjetën pistoleta dhe granata.
Pas zhvillimeve të fundit, burimet pranë policisë greke bëjnë me dije se i arrestuari dyshohet të jetë shtetasi Fran Preldakaj, i njohur ndryshe si Zef Preldakaj, 44 vjeç. Policia ka nisur një hetim të thelluar për të dyshuarin, pasi informacionet operative e përfshijnë atë në ngjarje të rënda kriminale në të dyja shtetet, duke sjellë nisjen e hetimeve për disa ngjarje të viteve të fundit.