Haziri: Familjet po paguajnë rrymë më shtrenjtë, mos i fshihni problemet
Deputeti i LDK-së kritikon çmimin e energjisë në Kuvend dhe kërkon që përplasjet politike të mos prekin interesat e familjeve kosovare.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka ngritur shqetësimet e tij në Kuvendin e Kosovës lidhur me çmimin e lartë të energjisë elektrike, duke theksuar se faturat më të larta po rëndojnë rëndë mbi familjet, bizneset dhe sektorin prodhues në vend. Gjatë fjalës së tij, ai ka kërkuar që debatet dhe përplasjet politike mes pozitës dhe opozitës të mbahen larg qytetarëve dhe interesave të familjeve kosovare, duke shtuar se «familjet paguajnë rrymë më shtrenjtë, shërbimet në Kosovë paguajnë rrymë më shtrenjtë, sektori prodhues paguan rrymë më shtrenjtë, secili paguan rrymë më shtrenjtë dhe kjo është e vërteta e madhe».
Duke iu referuar diskutimeve për sfidat e mundshme të dimrit dhe konflikteve ndërkombëtare, Haziri ka kujtuar se Kosova është përballur me sfida dhe pasoja të rënda shumë kohë para zhvillimeve të fundit në Ukrainë apo Iran. Ai ka përmendur se konflikte ka pasur edhe në vende të tjera si Siria, Libia dhe Iraku, ndërsa ka veçuar periudhën e luftës së Kosovës, kur sipas tij nuk është pasur asgjë dhe janë humbur të gjitha, por vendi është rikthyer për të nisur ndërtimin e jetës. Në këtë kontekst, deputeti i LDK-së ka përmbyllur duke bërë thirrje që përballjet partiake të mos përfshijnë qytetarët, duke deklaruar se «koha jonë dhe koha juaj, partia ime dhe partia juaj, krejt në rregull është, përmendni, shfrytëzojeni, te familjet mos prekni, te familjet mësohuni të mos prekni».