AUV nis shpërndarjen e 400 mijë vaksinave kundër lisë te delet dhe dhitë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur shpërndarjen e vaksinave të siguruara si donacion nga Bashkimi Evropian.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka filluar t'u dorëzojë shoqërive veterinare 400 mijë doza të vaksinës kundër lisë te delet dhe dhitë, të siguruara përmes një donacioni nga Bashkimi Evropian. Fushata e vaksinimit në terren pritet të fillojë të mërkurën dhe synon të përfshijë 438.042 kafshë të organizuara në 3.417 tufa në të gjitha rajonet e vendit.
Analizat laboratorike të kryera në Fakultetin e Mjekësisë së Veterinarisë kanë konfirmuar cilësinë dhe rregullsinë mikrobiologjike të vaksinave, të cilat konsiderohen ndër më efektivet për mbrojtjen e bagëtive. Sipas agjencisë, procesi do të zhvillohet në tri faza, ku në fazën e fundit do të përfshihen edhe kafshët që nuk janë vaksinuar më parë për shkak të moshës, gjendjes shëndetësore apo vlerësimit të veterinerit zyrtar.
Nga fillimi i vitit janë evidentuar 115 vatra të sëmundjes, ku si pasojë kanë ngordhur 875 kafshë, ndërsa 9.359 të tjera janë asgjësuar. Fushata do të fokusohet te delet dhe dhitë klinikisht të shëndetshme që plotësojnë kriteret e nevojshme për vaksinim.