Haxhiu takon drejtoreshën e NDI-së për agjendën legjislative
Kryetarja e Kuvendit diskuton me Nancy Soderberg për prioritetet legjislative dhe barazinë gjinore.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, Nancy Soderberg, me të cilën ka biseduar për prioritetet e agjendës legjislative dhe mbështetjen që NDI do t’i ofrojë Institutit Parlamentar. Gjatë takimit është diskutuar gjithashtu për avancimin e një agjende ligjvënëse që merr parasysh në mënyrë të barabartë nevojat dhe përvojat e grave dhe burrave, duke vënë theksin te forcimi i kapaciteteve profesionale të Kuvendit dhe përfshirja e barazisë gjinore në hartimin e ligjeve.
Haxhiu e ka falënderuar drejtoreshën Soderberg për përkushtimin e saj dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ky institut i ka ofruar Kuvendit ndër vite, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit. «Besoj se ligjet e mira fillojnë nga njohja e mirë e nevojave të qytetarëve. Prandaj, është e rëndësishme që Kuvendi të ketë kapacitete të fuqishme profesionale dhe që barazia gjinore të jetë pjesë e vetë procesit të hartimit dhe shqyrtimit të ligjeve», ka shkruar Haxhiu, duke shtuar se institucionet bëhen më të forta përmes partneriteteve të qëndrueshme.