Bayern i nis bisedat zyrtare me Harry Kane për zgjatje kontrate deri në 2030
Kapiteni i Anglisë aktualisht ndodhet me pushime në Karaibe dhe do të bashkohet me skuadrën bavareze pas turneut aziatik.
MYNIH — Drejtuesit e Bayernit të Mynihut pritet të nisin shumë shpejt bisedimet zyrtare me sulmuesin Harry Kane për rinovimin e kontratës aktuale, e cila skadon në qershor të vitit 2027. Sipas mediave gjermane, kapiteni i Anglisë është aktualisht me pushime me familjarët e tij në Karaibe pas përfundimit të angazhimeve në Botëror dhe do të bashkohet me skuadrën bavareze menjëherë pas përfundimit të turneut aziatik që po zhvillon klubi.
Pavarësisht zërave të ndryshëm që kanë qarkulluar rreth një largimi të mundshëm nga Gjermania, sulmuesi anglez nuk e ka menduar kurrë largimin nga Bavaria dhe është i gatshëm të zgjasë qëndrimin e tij në stadiumin Allianz Arena. Sezonin e kaluar interesim për të shfaqën klube si Barcelona dhe Al Hilal, ndërsa u përfol edhe një rikthim i mundshëm te Tottenhami, por prioritet i lojtarit mbetet fitimi i trofeve të mëtejshëm me fanellën e Bayernit.
Pika kryesore e diskutimeve mes palëve nuk do të jetë paga vjetore, pasi me marrëveshjen aktuale lojtari përfiton rreth 25 milionë euro në sezon dhe do të vazhdojë të mbetet ndër më të paguarit në skuadër. Debati kryesor në këto negociata pritet të jetë kohëzgjatja e kontratës së re, ku klubi bavarez propozon një marrëveshje deri në vitin 2029, ndërsa rrethi i ngushtë dhe agjentët e lojtarit kërkojnë zgjatjen deri në vitin 2030.
Negociatat do të zhvillohen drejtpërdrejt mes drejtuesve të lartë të Bayernit, Max Eberl e Jan-Christian Dreesen, dhe babait e vëllait të Harry Kane, të cilët përfaqësojnë interesat e tij si agjentë zyrtarë. Burim: Ora News
— Redaksia ZHURMA




