Gjykata në Itali ndalon martesën e 86-vjeçarit me shqiptaren
Gjykata e Firences ka ndaluar martesën mes një 86-vjeçari italian dhe një 51-vjeçareje me origjinë shqiptare pas dyshimeve për paaftësi mendore dhe shfrytëzim.
DIASPORË — Një martesë në Mugello, në zonën e Firences, është ndaluar pas dyshimeve të ngritura gjatë procedurave mes një 86-vjeçari italian dhe një gruaje me origjinë shqiptare, 35 vite më të re. Çifti ishte paraqitur në muajin prill në zyrat e gjendjes civile për të nisur procedurat, por zyrtari vuri re se i moshuari ishte i hutuar dhe nuk shpjegonte dot arsyet e martesës.
Sipas mediave italiane, dyshimet u shtuan pasi u konstatua se i moshuari i kishte dhënë gruas shuma të konsiderueshme parash, ndërsa firma e tij në dokumentin e bashkësisë së pasurisë nuk përputhej me një firmë tjetër të mëparshme. Gjithashtu, ai nuk kishte një pasqyrë të qartë të pronave që zotëronte.
Prokuroria ka hapur një hetim për veprën penale të përfitimit nga gjendja e një personi të cenueshëm, ndërsa autoritetet po verifikojnë nëse vendimet e tij janë marrë në mënyrë të lirë dhe të vetëdijshme.