Gjermania i dhuron Kosovës 3 milionë euro për kapacitetet e FSK-së
Kosovë dhe Gjermania nënshkruajnë marrëveshjen për projektin e donacionit gjerman “Enable & Enhance Initiative”.
PRISHTINË — Në kuadër të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes, Kosova dhe Gjermania kanë nënshkruar marrëveshjen për projektin e donacionit gjerman “Enable & Enhance Initiative”, me vlerë rreth tre milionë euro.
Marrëveshja u nënshkrua nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli, dhe atasheu gjerman i mbrojtjes në Kosovë, nënkolonel Guido Altendorf. Projekti synon avancimin e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe mbështetjen e saj në përmbushjen e misionit të saj.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe drejtori i Departamentit për Logjistikë dhe Infrastrukturë në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Imer Avdiu, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, Silke Bellmann, si dhe përfaqësuesit e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), nënkolonel Fabian Vogl dhe major Claus Schumm.
Sekretari Gafurr Dugolli shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke shtuar se pret vazhdimin e bashkëpunimit përmes projekteve të tjera të përbashkëta.
Burimet: Zëri; Albeu; Ekonomia Online; Lajmi.net; Epoka e Re (klaster 5 outlets).