Gjashtë komisione parlamentare mbajnë mbledhje në Kuvendin e Kosovës
Në Kuvendin e Kosovës janë paraparë mbledhjet e gjashtë komisioneve parlamentare me pika të ndryshme në rend dite.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Gjashtë komisione parlamentare mbajnë mbledhje në Kuvendin e Kosovës, ku në rend dite përfshihen projektligje, shqyrtimi i planeve të punës dhe çështje nga fusha të ndryshme. Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion mblidhet në orën 10:00 për të shqyrtuar në parim Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë, vendimin e presidentes për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe shpalljen e konkursit për drejtor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, si dhe për të dëgjuar raportimin e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku, lidhur me gjendjen në institucion.
Në orën 10:30 mblidhet Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për të shqyrtuar në parim Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave. Ndërkaq, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë mblidhet në orën 11:00 për të diskutuar rreth mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve dhe grupeve të miqësisë. Në mesditë, në orën 12:00, mblidhen dy trupa të tjerë: Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe për Persona të Pagjetur, i cili shqyrton dhe miraton draft-planin e punës, si dhe Komisioni për Arsim dhe Shkencë, ku shqyrtohet plani i punës për sesionin vjeshtor të vitit 2026.