Gërxhaliu: Buxheti për vitin e ardhshëm është i mbijetesës
Eksperti i ekonomisë thekson se rritja buxhetore nuk është reale për shkak të inflacionit dhe se vendi po varet nga importi.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Buxheti për vitin e ardhshëm është cilësuar si buxhet i mbijetesës nga ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Gjatë një paraqitjeje televizive, ai ka deklaruar se rritja e buxhetit nuk paraqet realitetin, pasi shifrat kanë pësuar ndryshime si pasojë e rritjes së inflacionit.
Gërxhaliu ka shtuar se Kosova nuk duhet të krekoset me numra, por me substancë, duke theksuar rëndësinë e kthimit të fondeve në investime dhe zhvillim ekonomik. Ai ka kujtuar se për buxhetin e këtij viti ishin paraparë afër 1 miliard euro për projekte kapitale, ndërsa vetëm 30 për qind e tyre janë shpenzuar, duke vënë në rrezik sektorin privat dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Gjithashtu, eksperti i ekonomisë ka kritikuar institucionet për varësinë e vendit nga importi dhe orientimin te ndihmat sociale. Sipas tij, sektori privat ka nevojë për ndërkombëtarizim, menaxhim, standardizim dhe certifikim, sidomos në kohën kur ekzistojnë skandale të shumta në fushën e prodhimit.