Gërvalla dhuron 160 abetare shkollës shqipe në Miçigan
Materialet do t'u shërbejnë nxënësve të Shkollës Shqipe në Miçigan, e cila ruan gjuhën dhe identitetin kombëtar të fëmijët e diasporës.
PRISHTINË — Shoqata “Jehona e Malësisë”, e cila drejton, administron dhe financon Shkollën Shqipe në Miçigan, ka shprehur mirënjohjen e saj të thellë për Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe për stafin e ministrisë, për donacionin e çmuar prej 160 abetareve dhe fletoreve të punës. Ky kontribut përbën mbështetje të rëndësishme për misionin e Shkollës Shqipe në Miçigan, e cila me përkushtim punon për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar te fëmijët shqiptarë në diasporë.
Materialet e dhuruara do t’u shërbejnë drejtpërdrejt nxënësve të shkollës, duke u ofruar mjete të nevojshme për mësimin e gjuhës amtare dhe për forcimin e lidhjes së tyre me trashëgiminë shqiptare. Kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Zef Berishaj, falënderoi për këtë mbështetje të vlefshme, duke theksuar se kontribute të tilla janë nxitje e madhe për vazhdimin e punës në edukimin dhe ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë.
“Ky akt bujarie dhe përkrahjeje tregon kujdesin dhe përkushtimin ndaj brezave të rinj shqiptarë jashtë atdheut. Ne e vlerësojmë shumë këtë mbështetje dhe do të vazhdojmë me edhe më shumë përkushtim misionin tonë për t’ua përcjellë fëmijëve gjuhën dhe kulturën tonë”, u shpreh z. Berishaj. Shoqata “Jehona e Malësisë” falënderon edhe një herë Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Kosovës për këtë kontribut të rëndësishëm dhe për mbështetjen ndaj arsimit shqip në diasporë.
Burim: Diaspora Shqiptare
— Redaksia ZHURMA




