Flakët përhapen në Pyllin e Sodës
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari: Prioritet mbetet mbrojtja e qytetarëve dhe banesave
VLORË — Beteja me flakët në pyllin e Sodës në Vlorë vijon ende. Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, duke reaguar në rrjetet sociale, tha se këto janë orë të vështira për strukturat në terren që po punojnë për të shuar flakët. "Orë të vështira në Vlorë për shkak të vatrave të zjarrit në Pyllin e Sodës dhe në disa zona të tjera", shkruai ministri.
Flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe, të favorizuara nga era e fortë, duke krijuar një situatë problematike në zonë. Lamallari theksoi se ndiqen në çdo çast situata në koordinim me të gjitha strukturat në terren që po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve. Ministri falënderoi çdo punonjës që po përballen me këtë situatë të vështirë me profesionalizëm dhe përkushtim, si dhe strukturat lokale dhe banorët vendas për angazhimin e tyre. Lamallari shprehet se prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, e banesave dhe e pasurisë natyrore, ndërsa puna s'do të reshtë derisa situata të normalizohet plotësisht. "Do të vazhdojmë të jemi në terren deri në normalizimin e plotë të situatës", përfundoi ministri.
Burim: Gazeta Tema, — Redaksia ZHURMA