Zhurma Press E Diel · 23 Gusht 2026 — Prishtinë · Tiranë · Shkup · Diaspora Treguesi Kërko Ruajtur · 0 Abonohu falas
LIVE · 11:28 60+ burime · klasifikim automatik · mbikëqyrje redaksionale
E fundit Edicioni 07:00 · Mëngjesi
ZHURMA
Ekonomi SHQ

Pse u ul financimi për investimet publike në Shqipëri?

Fondet e parashikuara nga Plani i Rritjes me Bashkimin Europian janë shkurtuar me 74%, duke u kthyer në zërin kryesor që ka ulur financimin e huaj për investimet publike, sipas Monitor, me 5 miliardë lekë të hiqura nga buxheti

Redaksia ZHURMA 11:03 Përditësuar 18:04 2 min lexim
Pse u ul financimi për investimet publike në Shqipëri?
FOTO · Ilustrim · One stands out 002 2025 01 01 (CC BY-SA 4.0) / Wikimedia Commons Arkivi ZHURMA

TIRANË Fondet e parashikuara nga Plani i Rritjes me Bashkimin Europian janë shkurtuar me 74% në aktin normativ të qershorit 2026, duke u kthyer në zërin kryesor që ka ulur financimin e huaj për investimet publike, sipas Monitor. Sipas të dhënave të buxhetit të rishikuar, fondet për Planin e Rritjes zbresin nga 6.8 miliardë lekë në buxhetin fillestar në vetëm 1.79 miliardë lekë pas aktit normativ.

Ulja është 5.01 miliardë lekë ose 74% e planit fillestar, duke treguar se qeveria nuk ka mundur të alokojë më shumë se 25 për qind të fondeve të BE-së këtë vit. Në total, shpenzimet kapitale në buxhetin e rishikuar janë ulur nga 179.8 miliardë lekë në 176.2 miliardë lekë, me një shkurtim prej 3.6 miliardë lekësh, ose 2%, që po vjen si rrjedhojë e pamundësisë së qeverisë për të alokuar fondet e huaja për investime.

Ky zë u ul nga 47 miliardë lekë në 42 miliardë lekë, me një reduktim prej 5 miliardë lekësh, ose 11%. Për të kompensuar pjesërisht mungesën e fondeve të jashtme, qeveria ka rritur financimin e brendshëm për investimet. Ky zë shkon nga 126.8 miliardë lekë në 128.2 miliardë lekë, me një shtesë prej 1.35 miliardë lekësh, ose 1%.

Të dhënat tregojnë se problemi qëndron tek dobësia e institucioneve shqiptare në thithjen e financimeve të jashtme. Edhe pse qeveria shqiptare ka shtuar ekspertizën duke shtuar numrin e punonjësve në administratë dhe duke emëruar një ministër të re nga inteligjenca artificiale, nuk po mundet të zbatojë kriteret e BE për fondet.

Për pasojë, investimet kapitale në buxhetin e vitit 2026 janë rishikuar në ulje, ndërsa barra për financimin e tyre po zhvendoset më shumë drejt burimeve të brendshme. Arsyet për dështimin e përdorimit të fondeve nga plani i rritjes lidhen me kushtet e paplotësuara dhe me zvarritjen e procedurave. Për programe si Plani i Rritjes i BE-së, disbursimi lidhet me përmbushjen e reformave të rëna dakord me Komisionin Europian.

Nëse këto nuk realizohen ose procesi i vlerësimit zgjatet, fondet nuk disbursohen. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ofron një paketë financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027, e ndarë në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi të buta. Përfitimi i këtyre fondeve është i lidhur ngushtë me zbatimin e reformave socio-ekonomike të dakorduara në Agjendat e Reformave të çdo vendi.

Shqipëria, përmes përkushtimit ndaj këtij procesi, ka siguruar akses të rëndësishëm në këtë instrument që synon konvergjencën me tregun e BE-së. Shqipëria përfitonte nga plan rreth 940 milionë euro ndërmjet 2024-2027.

Burim: Report Tv, https://report.al/deshtimi-i-qeverise-me-fondet-e-be-se-5-miliarde-leke-hiqen-nga-buxheti/
— Redaksia ZHURMA

Komentet