Muzat
Muzat, hyjnesha që, sipas Homerit, frymëzonin këngët. Tiparet e tyre janë përcaktuar shumë qartë në «Teogoninë» e Hesiodit. Muzat ishin vajzat e Zeusit e të Mnemozinës (Kujtesës). Ato ishin nëntë dhe mbronin format e ndryshme të poezisë: Klioja mbronte historinë; Evterpi poezinë lirike dhe muzikën; Mefpomeni kujdesej për tragjedinë; Tepsikora frymëzonte vallen; Eratoja poiezinë erotike; Polihimia (Polimnia) himnin; Urania mbronte astronomimë dhe Kaliopi poezinë epike. Kortezhi i tyre drejtohej nga Apoloni, që në këtë rast merrte epitetin Musaget. Banesat e tyre ishin të shumta dhe u përgjigjeshin më të shumtën e rasteve vendeve të kultit ose të legjendave. Ato banonin në Olimp dhe argëtonin perënditë me këngët e tyre, por ato kishin në tokë vende të preferuara, si psh. malin e Helikonit (në Beoti) dhe malin e Parnasit. Poetët vinin të kërkonin frymëzim në malin Helikon (në burimin e Hipokrenës dhe në burimin e Kastalisë). Tempujt e tyre quheshin museione; që këtej mendohet se rrjedh fjala muzeum. Edhe fjala muzikë e ka prejardhjen po nga ajo rrënjë. Në art muzat paraqiteshin si nuse të reja, shumë të hijshme, me atribute që u përgjigjen artit të secilës. Në Romë muzat quheshin Kamena (dm.th. që këndojnë, që parathonë). Në përfytyrimin e muzave duket qartë vlerësimi i madh i grekëve të vjetër për artin. Në kuptimin e figurshëm, fjala muzë do të thotë frymëzim.