Sibilat

Sibilat, gra profete legjendare, që hiqeshin sikur të ishin të frymëzuara nga hyjnitë (në përgjithësi nga Dionizi ose nga Apoloni). Disa autorë të vjetër pranonin ekzistencën e një sibile që kishte jetuar një mijë vjet dhe që banonte në vende të ndryshme. Disa të tjerë tregojnë se sibilat ishin dhjetë, por më e dëgjuar ishte Sibila e Kumës. Virgjili tregon për shpellën

e Sibilës së Kumës dhe për mënyrën që ajo përdorte për të dhënë përgjigjet e saj. Ato shkruheshin me fjalë të veçuara në fletë që era i shpërndante dhe që i interesuari duhej pastaj t’i mblidhte dhe të zbulonte interpretimin e tyre. Sipas gojëdhënës, Sibila e Kumës i kishte propozuar mbretit romak, Tarkuin Priskut (ose sipas të tjerëve, Tarkuin Krenarit), t’i jepte nëntë librat sibiline, duke i kërkuar një çmim shumë të lartë. Kur mbreti kishte refuzuar, gruaja-profete kishte hedhur në zjarr tri nga ato dhe i kishte kërkuar mbretit të njëjtin çmim për gjashtë librat që i kishin mbetur. Meqenëse edhe propozimi i dytë nuk qe pranuar, ajo i dogji tre librat e tjerë, duke i kërkuar të njëjtën shumë për tre të fundit, duke thënë se do t’i digjte edhe ato po të mos i paguhej menjëherë shuma e kërkuar. I habitur nga sjellja dhe qëndrimi i saj; mbreti i bleu librat dhe i vuri në tempullin e Kapitolit. Sentencat sibilike ishin të shkruara gjoja në fletët e palmës dhe ruheshin në fshehtësinë më të madhe nga një kolegjium i veçantë priftërinjsh.

Shih edhe

Përmendet te