Eoja
Eoja (Eos), hyjneshë e agimit, bijë e titanit Hiperion dhe e titanidës Teia, motra e Heliosit dhe e Selenës. Çdo ditë ajo dilte nga oqeani, ku banonte me burrin e saj, Titonin dhe ngrihej në qiell në një qerre me shkëlqim, që e tërhiqnin dy ose katër kuaj me fletë. Nganjëherë e përfytyronin me fletë, duke u ngjitur në qiell dhe duke shpërndarë në tokë dritë. Me ndihmën e Zeusit ajo kishte siguruar për Titonin pavdekshmërinë, por harroi të kërkonte për të njëkohësisht edhe rininë e përjetshme. Titoni u bë një plak i dobët, por i pavdekshëm. Eoja pati shumë djem me të, nga të cilët më i njohuri ishte Memnoni, mbreti i etiopëve. Te romakët Eoja quhej Aurorë. Piktorët e antikitetit e paraqitnin Eojën të hipur në qerre ose në kalë, shpesh me një pishtar në dorë.