Elita 5 performon në edicionin e pestë të Shqip Up Comedy Festival
Grupi legjendar nga Tetova dhuron një mbrëmje muzikore për mërgatën në Zvicër.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Edicioni jubilar i Shqip Up Comedy Festival solli një surprizë muzikore për të pranishmit, pas performancave të komedianëve shqiptarë dhe zviceranë. Skenën e pushtoi grupi legjendar nga Tetova, Elita 5, rikthimi i të cilit në këtë festival në Zvicër u prit me entuziazëm nga publiku në sallë.
Rock-grupi ikonik ngriti atmosferën duke interpretuar hitet e tyre të pavdekshme që kanë shoqëruar breza të tërë. Zëri i Arif Ziberit dhe energjia e grupit bënë që salla të këndonte në kor, duke e shndërruar natën e komedisë në një koncert elektrizues për mërgatën.
Performanca e grupit vulosi suksesin e përvjetorit të pestë, i cili u shfaq si një gërshetim mes humorit dhe rrokut shqiptar. Organizimi dëshmoi se ky festival është kthyer në një pikëtakim tradicional dhe kulturor për shqiptarët.